Lajmet e fundit

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) e quan skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për dënimin me vetëm 15 vjet burg për Ilir Haxhiaj.
Ky reagim, erdhi se ky i fundit kishte vrarë gruan e tij, Hatije Dema në vitin 2019 dhe gjykata e kishte cilësuar veprën e krimit si “lëndim i rëndë trupor”, transmeton klankosova.tv.
“Dënimi skandaloz me 15 vite burgim për vrasje dhe cilësimi i veprës si “lëndim i rëndë trupor”, e legjitimon dhunën dhe vrasjen e grave dhe ndikon negativisht në besimin e viktimave për raportim të rasteve të dhunës, si dhe në besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë në përgjithësi”, thuhet në reagimin e YIHR-së.
Prandaj, kjo nismë i fton institucionet e drejtësisë të trajtojnë me seriozitet të gjitha vrasjet e grave dhe të caktojnë dënime “meritore që do të shërbenin edhe si preventivë e rasteve të tjera të dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore”.
YIHR u bën thirrje po ashtu edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta analizojë rastin dhe të funksionalizojë mekanizmat në lidhje “me rastet ku gjyqtarët nuk ushtrojnë detyrën e tyre përkitazi me legjislacionin në fuqi si dhe të ndërmarrë te gjitha veprimet e duhura drejt dënimit meritorë të krimeve të tilla”.