Ditë më parë ka përfunduar aktiviteti “Java e Ndërmjetësimit”.
Aty qytetarët në shtatë rajonet e Kosovës kanë pasur rastin që të njihen më detajisht se çfarë në të vërtetë është ndërmjetësimi.
Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve, Ganimete Xhelili, ka thënë se kanë arritur që gjatë një jave ta promovojnë këtë praktikë të zgjidhjes së kontesteve, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Ajo në emisionin Portofol në Klan Kosova FM, ka theksuar se sa më tepër që praktikohet ndërmjetësimi, aq më tepër do të liroheshin gjykatat.
Përveç me gjykatat tjera, ata si odë presin që të referohen edhe rastet e para për ndërmjetësim edhe nga Gjykata Komerciale e cila ka nisur punën në fillim të gushtit.
“Bashkëpunimi është rritur edhe sa i përket rasteve komerciale. Bizneset po kanë interesim për benefitet që përfitojnë nga ndërmjetësimi. Bizneset e vogla përfitojnë nga kostoja e lirë, prej 40 euro për rast, ndërkaq bizneset e mëdha përfitojnë në kohë. Përveç kësaj ato ruajnë edhe imazhin dhe reputacionin”.
Kur rastet referohen nga gjykatat kostoja është 40 euro për rast, ndërkaq me vetinicim çmimi shkon deri në 600 euro.
Për dallim nga rastet gjyqësore, që zgjatin me vjet, sipas Xhelilit koha maksimale e zgjidhjes së një kontesti përmes ndërmjetësimit është 90 ditë.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.