Lajmet e fundit
Shkrimtari i njohur Shqiptar Ismail kadare, është nderuar për veprën e tij nga Kongresi Amerikan në Washington. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.

Në ndërtesën e Kapitolit, në Washington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij.
Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.
Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres. Zoti Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare:
“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. Me të drejtë, Ismail njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, krimet e kryera; edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik”, – tha ligjvënësi.
Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.
Në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, Engel ja dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të.