Lajmet e fundit

Kërkimi për të zhdukurën Danka Iliq, 2-vjeçare, pati një fund tragjik.
Dyshimet më të errëta të familjes rezultuan të sakta dhe dy persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm të dyshuar se kanë vrarë me makinë një vajzë dhe më pas e kanë hedhur trupin e saj në një deponi të egër përgjatë “Starobanjski put” pranë Borit, mëson televizioni serb ATV, raporton N1.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Danka Iliqit.
“Kam një lajm të keq për këtë fëmijë, për Dankën tonë nga Bori. Policia arrestoi dy persona që vranë Dankën e vogël dhe me sa kuptoj unë, të dy e pranuan këtë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se policia tashmë është dërguar në vendin ku e kanë hedhur trupin e fëmijës.
“Sipas informatave që kam marrë nga MPB-ja, gjërat kanë përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme”, ka përfunduar Vuçiqi.
Danka Iliq u zhduk më 26 mars rreth orës 13:45 në Banjsko Polje afër qytetit të Borit, Serbi. Ajo ishte me nënën dhe vëllain e saj kur u zhduk dhe që atëherë ka humbur çdo gjurmë. Për shkak të zhdukjes së saj, sistemi “Më gjeni” u aktivizua për herë të parë në Serbi.
Në kërkimin e Dankës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë organizoi një nga kërkimet më të gjera, në të cilën ishte përfshirë i gjithë rajoni.
Dje policia e Borit ka sjellë në vendngjarje qen zyrtarë, të cilët kanë kontrolluar sërish zonën dhe pas pak kohësh janë sjellë dy persona për të treguar zonën, ndërsa policia i ka filmuar.