Lajmet e fundit

"Ne e presim rezultatin zyrtar, pastaj jemi gati për me formu dhe me votu institucionet e Republikës së Kosovës. Fillimisht votojmë për parlamentin, pastaj për qeverinë dhe presidentin e Kosovës". "Besoj që po", tha ajo kur u pyet nëse është e gatshme të votojë një qeveri me LVV-në.Në anën tjetër, Fikrim Damka nga partia e turqve të Kosovës, KDTP, tha se ai dhe bashkëpartiakja e tij që fituan ulëse në Kuvend, Fatma Taçi, do të votojnë pro formimit të tre institucioneve të Republikës së Kosovës, bashkë me LVV-në.
"Edhe më herët e kam deklaruar se ne si KDTP me dy deputetë jemi për Qeverinë Kurti 4. Së pari do të formohet Kuvendi, të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ne e kemi votën për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj në agjendë besoj se duhet të jetë formimi i qeverisë së re dhe zgjedhja e presidentit. Ne si dy deputetë jemi për që sa më shpejt të formohen këto 3 institucione në Republikën e Kosovës", tha Damka.Konstruktiv tha se do të jetë edhe Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) i cili u shpreh se do të votojë pro për formimin e institucioneve të reja.
"Tashmë siç e dini, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, tashmë 9 mandate është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, ne gjithmonë e kemi luajtur rolin tonë konstruktiv për të mirën e shtetit, njëjtë do të vazhdojmë edhe kësaj radhe, sepse është e rëndësishme që të formohen institucionet e Republikës së Kosovës dhe në radhë të parë vjen interesi shtetëror e pastaj ai kombëtar e partiak. Kështu që pa hezitim, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do luajë rolin e saj konstruktiv dhe do të japë votën e saj pro edhe Kuvendit edhe Qeverisë së Kosovës dhe dhashtë Zoti që partitë e mëdha politike të arrijnë marrëveshje dhe të votohet edhe presidenti", tha Kinolli.Qëndrim të ngjashëm ka edhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, deputeti Veton Berisha, i cili në një intervistë për "Edicionin Special" në Klan Kosova më 24 qershor, i pyetur nëse do të kontribuonte për zgjidhjen e situatës dhe krijimin e institucioneve të reja, tha se nuk ka qenë asnjëherë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje.
“Absolutisht. Unë e kam qëndrimin tim që asnjëherë nuk kam qenë pengesë. Çdo herë kur deri te unë do të vijë një moment i zgjidhjes së problemit, pa asnjë lloj kushti do ta bëja që të dalim nga kjo situatë. Megjithatë, normalisht që, siç e thashë, kemi për obligim t’i shtyjmë sa më shumë interesat, të drejtat dhe nevojat e komuniteteve tona”, tha Berisha.Me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe nisjen e procesit të konstituimit të institucioneve, vëmendja tashmë pritet të përqendrohet te marrëveshjet politike mes subjekteve të mëdha parlamentare shqiptare. Me sinjalet e dhëna nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë për mbështetjen e formimit të institucioneve të reja, mbetet të shihet nëse ky proces do të zhvillohet pa pengesa dhe nëse Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca do të arrijnë të marrin mandatet e nevojshme për funksionim. /Klankosova.tv