Janë diku rreth 70 pacientë diabetik nga Prishtina që marrin çdo ditë insulinën “Levemir”, mirëpo sasitë e këtij lloji të insulinës janë shpenzuar më 10 janar në Barnatoren Qendrore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytetit.
Derisa furnizimin me insulinë e bën Ministria e Shëndetësisë.
Farmacisti përgjegjës Fatos Aliu të Barnatores Qendrore në QKMF të Prishtinës, tha për Klan Kosova se furnizimi me këtë lloj ilaçi pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme nga MSH.
Megjithatë, nuk është e vetmja QKMF-ja e Prishtinës që ka këso telashe.
Edhe në QKMF-në e Prizrenit gjatë tërë muajit janar ka pasur mungesa pothuajse të të gjithave llojeve të insulinës.
Drejtuesi i qendrës primare në Prizren, Xhevat Elezkurtaj ka thënë për Klan Kosovën se kërkesat i kanë adresuar me kohë tek Ministria e Shëndetësisë dhe se furnizimi i rregullt duhet të bëhet në çdo fillim të muajit.
Në fakt Barnatorja Qendrore e QKMF-së në Prizren gjatë ditës së djeshme është furnizuar me sasitë e insulinave të ndryshme dhe se qytetarët këto mund ti marrin deri me 5 shkurt.
“Shpenzimet e insulinave janë diku tetë –nëntë mijë sosh në muaj, tashmë veç jemi furnizuar dhe 50% e këtyre pacientëve veçse i kanë marr brenda një dite”, deklaroi Xhevat Elezkurtaj, drejtues i QKMF-së në Prizren.
Klan Kosova i ka adresuar pyetje lidhur me këtë çështje edhe Ministrisë së Shëndetësisë, derisa ky dikaster ka treguar që ka qenë një periudhë që ka munguar në lloj i insulinës në dy komunat e lartë përmendura, por që tani janë evituar këto mungesa.
“ Ministria e Shëndetësisë furnizon me pesë lloje të insulinave institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor. Për momentin, sipas të dhënave nga Departamenti i Farmacisë në MSH, nuk ka mungesa të insulinës dhe komunat (QKMF-te) furnizohen sipas orarit të rregullt qe ato e kanë. Ka pasur një periudhë që ka munguar një lloj i insulinës në dy komuna, por që tash në stok nuk ka mungesa".
"Komunat, në rastet kur iu mungon ndonjë lloj i insulinës, e kanë të drejtën e blerjes së kërkesave urgjente me qëllim që të furnizohen”, deklaruan Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë, njofton Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.