Lajmet e fundit

Fari Hiseni nga VLEN deklaroi sot se ish kandidati i BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, Naser Ziberi, ka demantuar tezat e BDI-së dhe Ali Ahmetit.
“Naser Ziberi ishte shumë i qartë duke thënë se kryeministri i parë shqiptarë në vend të 100 ditëve në këtë post, do të duhej të ishte së paku dy vjet, sepse 100 ditët, siç ka pohuar opozita e bashkuar shqiptare, janë në shërbim vetëm të çështjeve teknike. Në fakt kryeministri 100 ditësh është edhe një hipokrizi dhe mashtrim që tentohet t’u servohet shqiptarëve”, tha Fari Hiseni, i cili njëherësh shtroi dhe pyetjen:
“A u shkëmbye dhe u shit mandati dyvjeçar i kryeministrit shqiptar për milionat e skandalit “Soravia”? Qendra Tregtare në zemër të Shkupit e blerë nga nipi i Ali Ahmetit 25-vjeçar në vlerë prej 30 milionë eurove? A u shit kryeministri i parë shqiptar për milionat e pista nga biznesi i kazinove që Artan Grubi përmes lotarisë së tij po i realizon me nëntokën serbe dhe bullgare?”, u shpreh Fari Hiseni nga VLEN. /Alsat.mk