Deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Lavdrim Krashi, ka bërë analizë të vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë ditën e nesërme.
Krashi nënvizoi se ShBA-ja ka marrëdhënie fantastike me vetëm dy kombe në botë dhe këtu veçoi shqiptarët e britanikët.
“Vizita është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë. Blinken ka vendosur për të gjetur pak kohë për ne. Ai është një person që pjesën më të madhe jetës së tij në kohën që është Sekretar Shteti e kalon në ajër prej situatës së tensionuar që ka bota, jo vetëm konflikti në Ukrainë por edhe në Lindjen e Mesme. Bashkëpunimi i shqiptarëve me ShBA është fantastik. Ka vetëm dy kombe në botë që kanë një marrëdhënie speciale me ShBA dhe këto janë britanikët dhe shqiptarët. Jemi mbështetësit më të mëdhenj të politikës amerikane si popull, si qytetarë të republikës dhe si komb. E kam fjalën dhe për shqiptarët në Kosovë në Maqedoni e kam për shqiptarët si komb”, tha Krashi në Report Tv.
Ai nënvizoi marrëdhëniet e mira që Shqipëria ka pasur me ShBA-në përgjatë viteve.
“Kjo është domethënëse, në relacion me Shqipërinë vjen në një kohë ku përveç ngjarjes ku një nga ish kryeministrat është shpallur non grata. E rëndësishme është që përgjatë këtyre viteve Shqipëria ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta me ShBA-në. Bashkëpunimi që kemi pas me ShBA-në gjatë dy viteve që Shqipëria ishte anëtare në Këshillin e Sigurimit, lëvdatat kanë ardhur nga e majta dhe e djathta”.
“Për ne si shqiptarë, si komb, nuk ka rëndësi nëse vjen në Tiranë apo Prishtinë, por mbështetja për shqiptarët është e njëjtë”.
Një tjetër qasje për këtë vizitë të Blinken ka pasur avokati Leonard Karaj. Qëllimi i vizitës, sipas tij, është për të dhënë mbështetje ndaj Ballkanit Perëndimor që të mos bjerë pre e “makinacioneve kinezo-ruse”.
“Për mendimin tim vjen për shkak të gjeopolitikës ballkanike dhe jo vetëm. Shqipëria gjendet në atë udhëkryqin ku sot me dashje apo jo ka njëlloj protagonizmi për shkak të asaj që po ndodh jo vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi dhe sigurisht gjatë këtyre viteve sidomos pas luftës në Ukrainë mbështetja amerikane sidomos në Ballkan ka qenë konstante sepse kanë dashur që Ballkani perëndimor të mos jetë pre e makinacioneve kinezo-ruse të cilat në botën globale njihen”, tha ai.
Çfarë e shqetëson ShBA-në për rajonin që e ka detyruar Blinkenin të vijë në Tiranë?
“Nëse mendon se sot në Kosovë ka qetësi dhe ai shtet sado i ri dhe i vogël po lulëzon dhe nuk ka asnjë problematikë... Ne gjithmonë kemi thënë se SHBA-ja është shembull demokracie. Nëse shembulli i demokracisë vjen këtu në Shqipëri për të na duartrokitur ne që edhe ne jemi si ata jo vetëm që po themi një gënjeshtër të madhe por ata që do na shohin do qeshin me ne sepse ky vend është larg të qeni demokratik”.
“Blinken vjen për shkak të situatës gjeopolitike në të cilën ndodhet kombi shqiptar në 4-5 shtete në Ballkanin Perëndimor dhe për shkak të lidhjes që ka me NATO-n, kjo e fundit po zhvillon një bazë në Kuçovë. Prezenca e NATO-s e shikon vendin tonë si vend kyç”, u shpreh Karaj. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.