Më shumë se 1 mijë raste dhe 17 vdekje janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Vetëm në Klinikën Infektive janë të shtirë 122 pacientë ku 112 prej tyre janë në oksigjenoterapi, derisa dy prej 17 të vdekurve ishin të shtirë në këtë klinikë.
Këtë e konfirmoi ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj në Info Magazine në Klan Kosova.
Vishaj shtoi faktin që të dy pacientët të cilët kanë vdekur në infektivë, nuk ishin të vaksinuar dhe se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe se që nga fillimi i valës së re të ndikuar nga varianti më ngjitës Delta, infektiva ka pasur vetëm 19 pacientë të vaksinuar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe asnjëri nuk ka përfunduar me fatalitet.
"Pacientët të cilët kanë vdekur nuk kanë qenë të vaksinuar".
"Që nga fillimi i kësaj vale të re siç dihet dominon forma Delta në klinikën infektive i kemi pasur të hospitalizuar gjithsej 19 pacientë që kanë qenë të vaksinuar dhe asnjëri nga ta nuk ka përfunduar me fatalitet".
Kur u pyet se a dallojnë kompanitë e ndryshme të vaksinave të cilët gjenden në Kosovë, Vishaj tregoi se të dy llojet janë të aprovuara nga EMA dhe FDA dhe se ato po e përmbushin misionin e tyre në parandalimin e vdekjes.
"Të gjitha vaksina që ne i kemi në Kosovë i kemi të aprovuar nga institucionet më relevante të cilat i kanë kriteret më të larta, andaj nuk e kemi parë nëse ndonjëra funksionon ndryshe por atë që e kemi parë është se ato funksionojnë për ta parandaluar vdekjen nga COVID-19".
Në fund, ai bëri apel për qytetarët që t'i shmangin turmave të mëdha, të vaksinohen dhe të mbartin maskën edhe ata persona që janë të vaksinuar, gëzojnë shëndet të plotë dhe atyre që e kanë kaluar sëmundjen që t'i mbartin maskat.
Në Kosovë, të hënën u regjistruan 17 vdekje për shkak të COVID-19 dhe 1.067 raste të reja pozitive, po ashtu 20 mijë e 467 është numri i rasteve aktive.
https://youtu.be/2BqAnce0YiY
●●●
NSHKRIMI NGA
N.Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.