Lajmet e fundit

Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka reaguar në lidhje me pezullimin e mbledhjeve të premiumeve shëndetësore e cila ishte paraparë të fillojë më 1 korrik.
"Edhe qeverisja në ikje dështon në realizimin e sigurimeve shëndetësore publik për qytetarët e Kosovës. Kur në dhjetorin e vitit të kaluar ishte njoftuar dështimi dhe shtyrja e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore për 1 korrik të këtij viti, nuk kishin munguar justifikimet boshe dhe premtimet po të atilla për gjoja raportet mujore para kryeministrit për ecurinë e procesit e për fushata informimi për qytetarët dhe bizneset".
"Ministria e Shëndetësisë dhe ministri në ikje në asnjë rrethanë nuk ka informuar për qoftë edhe një hap të ndërmarrë sa i përket çështjeve bazë të parapara me ligjin për Sigurimet Shëndetësore, të miratuar në prill të 2014-tës, siç janë lista e shërbimeve themelore, lista e barnave, arritja e marrëveshjeve me farmacitë, krijim i sistemit elektronik të të dhënave, pajisja prej më së paku 75% të të siguruarve me kartela sigurimi para fillimit të mbledhjes së premiumeve etj", thuhet në reagimin e kësaj organizate, transmeton Klan Kosova.