Lajmet e fundit

Kur përfundoi sezoni 2025/26, LeBron James e kishte menduar seriozisht pensionimin, në moshën 41-vjeçare, superylli i NBA-së besonte se mund ta kishte luajtur ndeshjen e fundit të karrierës.
Megjithatë, disa javë më vonë, James mori atë që e quajti “vendimin e fundit”, duke firmosur me Philadelphia 76ers për një kontratë dyvjeçare, me vlerë 8 milionë dollarë, duke i dhënë vetes një tjetër mundësi për të luftuar për titullin e NBA, transmeton Klankosova.tv.
Por, ardhja e LeBron është vetëm kapitulli i fundit i një transformimi shumë më të madh në Philadelphia.
Njeriu pas këtij revolucioni është Mike Gansey.
I emëruar President i Operacioneve të Basketbollit te 76ers në fund të muajit maj, pasi zëvendësoi Daryl Morey, Gansey nisi menjëherë rindërtimin e skuadrës.
Më 1 korrik, ai realizoi një prej shkëmbimeve më të mëdha të verës, duke dërguar Paul George dhe zgjedhje drafti te Boston Celtics, në këmbim të Jaylen Brown, MVP-së së Finaleve të NBA në vitin 2024.
Më pas, Philadelphia forcoi edhe më tej rotacionin me Anfernee Simons dhe Dean Wade.
Dhe pastaj erdhi lëvizja më e madhe!
LeBron James zgjodhi Philadelphia-n.
Me ardhjen e “mbretit”, rezultati është një prej pesësheve më spektakolare në letër:
Tyrese Maxey – VJ Edgecombe – Jaylen Brown – LeBron James – Joel Embiid.
Një organizator 25-vjeçar All-Star, zgjedhja e tretë e Draftit të vitit 2025, një MVP i Finaleve, shënuesi më i mirë në historinë e NBA dhe një ish-MVP i ligës.
Pesëshja e ndërtuar nga Gansey bashkon talentin e ri me eksperiencën dhe fuqinë e jashtëzakonshme individuale.
Por, vendimi i LeBron për t'iu bashkuar 76ers nuk ishte aspak i lehtë.
Pas përfundimit të sezonit, James pranoi se e kishte menduar seriozisht pensionimin.
“Kur përfundoi sezoni, mendova se gjithçka kishte marrë fund. Nuk isha gati ta njoftoja këtë dhe e dija se më duhej kohë për të menduar. Por isha pothuajse i sigurt se kisha luajtur ndeshjen time të fundit”, shkroi James.
Më pas, megjithatë, pas një reflektimi dhe konsultimi edhe me familjen e tij, ai ndryshoi mendje.
“Unë ende e dua vërtet këtë lojë dhe kam ende më shumë për të dhënë”.
“Ende dua të sakrifikoj, të punoj, të luftoj, të konkurroj, të fitoj dhe të kem mundësinë të përjetoj sërish ndjesinë e fitimit të një tjetër kampionati”, deklaroi James, duke theksuar se vendimi nuk kishte të bënte me paratë, por me dëshirën për ta ngritur edhe njëherë trofeun e NBA.
Dhe, Philadelphia e bindi se kjo mundësi ekziston.
“Besoj se mund t'i ndihmoj Philadelphia 76ers të bëhen një skuadër kampione dhe jam shumë i emocionuar për ta motivuar një bazë të re tifozësh dhe për të nisur këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm edhe një herë”, përfundoi adresimin e tij LeBron James.
76ers nuk e kanë fituar titullin e NBA që prej vitit 1983 dhe nuk kanë arritur në Finalet e Konferencës së Lindjes që prej vitit 2001.
Tani, pas një vere të jashtëzakonshme, Mike Gansey ka ndryshuar tërësisht pamjen e skuadrës.
Ai trashëgoi Joel Embiid dhe Tyrese Maxey. Solli Jaylen Brown dhe shtoi talentin e ri, VJ Edgecombe. Po ashtu, forcoi rotacionin me Anfernee Simons dhe Dean Wade. Dhe më pas, si “qershia mbi tortë”, siguroi ardhjen e “mbretit” LeBron James.
Në letër, Philadelphia tani ka talent të jashtëzakonshëm. Por, mbeten disa pyetje të rëndësishme: a mund të bashkëjetojnë Embiid, Brown, James dhe Maxey në sulm? A mund të qëndrojë skuadra e shëndetshme? Dhe a mund të përshtatet shpejt Edgecombe me një pesëshe që synon titullin?
Këto përgjigje do të jepen në parket, në sezonin e ri 2026/27.
Për momentin, një gjë është e qartë.
LeBron James është fytyra e transformimit të Philadelphia-s, por Mike Gansey është arkitekti që e ndërtoi atë./Klankosova.tv