Komisioni i Ankesave dhe Arbitrazhit në kuadër të Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë vendimin përfundimtar lidhur me ankesën e KB Vëllaznimit, duke e refuzuar atë si të pabazuar dhe duke lënë në fuqi renditjen përfundimtare të sezonit 2025/26.
Vendimi është marrë më 11 prill nga trupi në përbërje të Korab Sejdiut, Lulzim Fushticës dhe Partin Pruthit, pas shqyrtimit të argumenteve të paraqitura nga klubi gjakovar. Vëllaznimi kishte kundërshtuar mënyrën e renditjes tabelare dhe vendimin për rënie nga ProCredit Superliga.
Edhe pse ankesa është konsideruar e pranueshme nga aspekti procedural, Komisioni ka vlerësuar se kërkesa e klubit për të zbatuar vetëm një nen të Propozicioneve të Garave nuk është e qëndrueshme. Sipas arsyetimit, një interpretim i tillë bie ndesh me rregullat ndërkombëtare të FIBA-s, të cilat kanë përparësi në raste të kundërthënieve.
Komisioni ka theksuar se kriteret për renditjen në rast të pikëve të barabarta janë të përcaktuara qartë në Shtojcën D të Rregullave Zyrtare dhe se ato janë zbatuar në mënyrë korrekte nga Komisioni i Garave.
Po ashtu, janë hedhur poshtë pretendimet e Vëllaznimit lidhur me interpretimin e Ligjit për Sport dhe referencat në praktikat e Gjykata e Arbitrazhit Sportiv duke u cilësuar si të pabazuara për këtë rast.
Komisioni ka konfirmuar vendimin e Komisionit të Garave, duke vulosur rënien e Vëllaznimit nga Superliga. Klubi gjakovar sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.
Sipas njoftimit, ky vendim është përfundimtar brenda FBK-së, ndërsa palët kanë të drejtë ankese vetëm në instancat ndërkombëtare ose në gjykatat kompetente.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.