Lajmet e fundit

Një avion luftarak F-35B të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është rrëzuar pranë bazës ajrore Miramar në San Diego, Kaliforni.
Piloti ka arritur të shpëtojë pasi është katapultuar nga avioni para rrëzimit.
Sipas Associated Press Korpusi i Marinës së ShBA-së ka njoftuar se piloti është dërguar në një qendër mjekësore lokale, ku ndodhet në gjendje stabile dhe po trajtohet për lëndime që nuk rrezikojnë jetën, transmeton Klankosova.tv.
“Mund të konfirmojmë se piloti u katapultua, u transportua në një institucion mjekësor lokal dhe ndodhet në gjendje stabile për vlerësim dhe trajtim të lëndimeve që nuk janë kërcënuese për jetën”, thuhet në deklaratën e përditësuar të Marinës amerikane.
Sipas autoriteteve, incidenti është klasifikuar si një “aksident i Klasës A”, ndërsa vlera e një avioni të këtij tipi arrin në rreth 109 milionë dollarë.
Pamjet ajrore nga vendi i ngjarjes tregojnë tymin e zi që ngrihet nga mbetjet e avionit në një zonë të hapur, ku janë angazhuar automjete ushtarake, zjarrfikës dhe ekipe të emergjencës.
Zëdhënësja e Shërbimit Zjarrfikës të San Diegos, Candace Hadley, bëri të ditur se ekipet kanë ndërhyrë për të shuar një zjarr në bimësi që shpërtheu pas rrëzimit të avionit.
F-35B është një nga versionet më të avancuara të avionëve luftarakë stealth, i përdorur nga Korpusi i Marinës, Marina dhe Forcat Ajrore të ShBA-së.
Ky model është projektuar për ngritje në distanca të shkurtra dhe ka aftësinë të ulet vertikalisht.