Lajmet e fundit

Ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare shkrimtari Imre Kertesz që në vitin 2002 kishte fituar çmimin më prestigjioz për letërsi - çmimin Nobel.
Shtëpia botuese Mabeto Kiado tha se Kertesz vdiq në shtëpinë e tij në Budapest pas një sëmundjeje të gjatë, transmeton Klan Kosova.
Ai rrëfente në vepra përjetimet e tij jetësore si adoleshent në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kertesz ishte vetëm 14 vjeçar kur u deportua në kampin e përqendrimit Aushwitz në Poloni. Ai u mbijetoi torturave famkeqe të këtij kampi dhe më vonë u transferua në kampin Buchenwald ku u lirua pas përfundimit të luftës në vitin 1945.
“Kur je fëmijë disi beson në jetë, por kur të ndodh diçka si kampi i Auschwitz atëherë çdo gjë ndahet përgjysmë”, kishte thënë më herët Kertesz.
Ai kishte pranuar se momentet më të lumtura në jetë i kishte përjetuar kur ishte në këtë kamp. “Ju nuk mund ta imagjinoni se si është të qëndrosh në spitalin e kampit ose t'i kesh 10 minuta pushim pas punës së lodhshme”. “Të jesh pranë vdekjes mund të jetë një lloj lumturie. Vetëm të mbijetuarit mund të shndërrohen në lirinë më të madhe mbi të gjitha”, kishte thënë ai për revistën Newsweek në vitin 2002.