Lajmet e fundit

Të dielën mbrëma u raportua se ndërroi jetë në moshën 83 vjecare Fethullah Gulen, në një spital në Pensilvani, të SHBA-së . Gulen një predikuesi islamik dhe udhëheqësi i lëvizjes "Hizmet" prej dekadash jetonte në ekzil dhe ishte kërkuar nga autoritetet turke për përfshirje në tentativën për grusht-shtet në vitin 2016, një akuzë të cilën ai e mohoi fuqishëm.
Përgjatë viteve, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka fajësuar Gulenin për organizimin e grusht-shtetit të dështuar, duke e cilësuar atë dhe ndjekësit e tij si një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare. Edhe pas vdekjes së tij, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, theksoi se lufta kundër asaj që Turqia e quan organizata "FETO" do të vazhdojë, duke e përshkruar lëvizjen si një nga kërcënimet më të mëdha në historinë e Turqisë.
Gulen dikur ishte aleat i ngushtë i Erdoganit, por lidhjet e tyre u përkeqësuan dhe u kthyen në armiqësi të hapur. Lëvizja Hizmet, e udhëhequr nga Gülen, kishte ndikuar në ndërtimin e rrjeteve të fuqishme shkollore dhe kulturore në mbi 100 vende, përfshirë edhe Kosovën, ku në vitin 2018 gjashtë persona të dyshuar si gylenistë u ekstraduan me kërkesë të Turqisë.
Gulen shpesh shprehej se nuk kishte frikë as nga vdekja, as nga ekstradimi në Turqi. Ai do të mbahet mend si një figurë kontroverse. Kjo meqë për disa ishte një predikues modern dhe filantropist, ndërsa për të tjerët një terrorist që rrezikoi stabilitetin e shtetit turk.