Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim ministrin e Kroacisë, Zlatko Hasanbegović, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe atyre kroate, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Kulturor që u realizua para disa ditësh në Zagreb.
Ministri Shala e vlerësoi lartë këtë vizitë, e cila zhvillohet vetëm pak ditë pas takimit në Zagreb, dhe si e tillë është në funksion të thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve.
Ai më tej u shpreh se institucionet e Kosovës kanë filluar përgatitjet që bashkëpunimi të bëhet sa më konkret, sidomos në trashëgimi, në fushën e konservimeve, kinematografisë, letërsisë, përkthimeve, transmeton Klan Kosova.
Ministri kroat Hasanbegović u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kroacisë është i shkëlqyeshëm dhe lidhet me të kaluarën, meqë bëhet fjalë për dy vende mike, dhe shtoi se ky bashkëpunim, pas nënshkrimit të marrëveshjes kulturore ka një karakter më të qartë dhe do të thellohet me nisma konkrete e në funksion të interesit të përbashkët kulturor të dyja palëve.
Ndërmjet ministrave Shala dhe Hasanbegović u bisedua edhe për mundësinë e specializimit të stafit në fushën e trashëgimisë kulturore në institucionet e Kroacisë.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.