Lajmet e fundit

Me Vojsavën, vajzën e Zekatëve, në një rrëfim për shtëpinë mbi 200-vjeçare monument kulture, nga ku mund të shohësh jo vetëm qytetin e Gjirokastrës, por dhe luginën e Drinit.
Nga ballkoni i lartë i shtëpisë së Zekatëve mund të shohësh sesi rrezet e fundit të diellit shpërndahen lehtë, duke veshur si me një tis të purpurt malin e Lunxhërisë. Më pas, një shkëlqim i lehtë shpërndahet kudo nëpër qytet, përpara se të mbërrijë mbrëmja. Vojsava Zeko Anastasi i pëlqen ta shohë perëndimin e diellit nga ky kënd i shtëpisë.
Me anëtarë të tjerë të familjes, ajo ulet shpesh aty, duke gjerbur kafe e duke humbur në biseda kujtimesh. Nga vajza e vogël me flokët e verdha me bishtaleca dhe fustanin e bardhë që kërkonte të zbulonte gjithë misterin e kësaj shtëpie të madhe, sot ka mbetur ende ajo grishje misteri që mbart kjo shtëpi.
Pothuajse çdo ditë, Vojsava pas pune hap portën e madhe të shtëpisë mbi 200-vjeçare të Zekatëve, jo vetëm për turistët që çdo ditë ndalojnë për të parë atë çfarë mbart kjo ndërtesë monument kulture, por dhe për t’u kujdesur nga gjithçka ka aty brenda.
Perdet e bardha vendosur me kujdes në dhomën e pritjes apo qilimat e thurur sipas stilit të dikurshëm, janë zgjedhje e Vojsavës. Këto ditë ajo ka blerë një tjetër qilim të ri në pazar.
Është si një kthim në kohë, sa herë hyn në oborrin e madh për të humbur më pas në dhomat e pafundme të kësaj ndërtese. Deri në vitin 1968, familja e saj ka jetuar në këtë ndërtesë, për t’u shpërngulur më pas në hapësirën ngjitur, ku kanë ndërtuar një shtëpi. Por zemra duket se ka mbetur në këtë hapësirë.
Është diçka më shumë se kujtimet që e bën ta dojë këtë vend, diçka që lidhet me rrëfimet e gjyshes, apo të afërmve dhe lojërat e fëmijërisë për shtëpinë që është më shumë se një histori e qytetit. Ajo është dëshmia e një kohe dhe një qytetërimi që ka ekzistuar në këtë qytet që para Luftës së Dytë Botërore.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/12/09/vajza-e-zekateve-dhe-rrefimet-per-ali-pashen/