Lajmet e fundit

Në një deklaratë, ushtria izraelite ka thënë se ka zgjeruar operacionin e saj tokësor në qytetin Khan Younis brenda Rripit të Gazës.
IDF-ja pretendon se "dhjetëra terroristë u vranë" dhe "u gjetën sasi të mëdha armësh dhe boshte tunelesh nëntokësore terroriste". Pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
“Gjatë ditës së kaluar, trupat e IDF zgjeruan operacionet tokësore në Khan Younis dhe kryen sulme në të cilat u vranë rreth 40 terroristë. Për më tepër, u gjetën boshte të rëndësishme tunelesh terroriste, si dhe një sërë armësh, duke përfshirë dymbëdhjetë pushkë AK-47, katër lëshues RPG të ngarkuar, dhjetëra granata, fishekë dhe jelekë ushtarakë”, thuhet në deklaratën e lëshuar në Telegram.
Aty gjithashtu thuhet se “është kryer një bastisje të synuar në një kompleks ushtarak në Khan Younis" dhe se "flota izraelite goditi gjithashtu poste ushtarake, objekte magazinimi dhe anije të përdorura nga forcat detare të Hamasit".
Izraeli thotë se 182 ushtarë të tij janë vrarë deri më tani gjatë luftimeve brenda Rripit të Gazës. Ministria e shëndetësisë në Gaza deklaron se mbi 23 mijë palestinezë janë vrarë nga aktiviteti ushtarak izraelit që nga 7 tetori.
Nuk ka qenë e mundur që gazetarët të verifikojnë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave të dhëna gjatë konfliktit, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.