Lajmet e fundit

Një ushtar amerikan e ka befasuar familjen e tij me kthimin e parakohshëm në vendlindje, pasi shërbeu në Kosovë për pothuajse një vit, transmeton Klan Kosova.
Surpriza e ushtarit të quajtur Jason Flook, filloi të merkurin me një vizitë befasuese tek bashkëshortja e tij Danetta në Universitetin e Ironton. Ai e priti në fund të shkallëve me prindërit e saj.
“Fillimisht e gjitha çka kam parë ishte kamera e nënës sime”, ka deklaruar Danetta. “Mendoja në vete se çfarë po bën kjo grua me atë kamerë në dorë? Dhe më pas e pash bashkëshortin dhe ishte moment madhështor”, përfundoi ajo.
Ndërsa Flook është shprehur se ishte shumë nervoz, për shkak se sipas tij, ajo nuk është person i lehtë për t’u surprizuar.
Ndalesa tjetër e ushtarit që shërbeu në Kosovë ishte shkolla fillore, ku vajzat e tij vijojnë mësimin. Ai është marrë vesh me drejtorin e shkollës që gjatë një shfaqjeje shkollore atë ditë, ai të del nga perdja e prapaskenës dhe t’i befasojë ato.
“Vajza, kemi një surprizë për ju. Kthehuni prapa”, i thotë drejtori vajzave, dhe në atë moment shfaqet babai i tyre, të cilin e përqafojnë me mall dhe lotët nuk mungojnë.
“Mendoj se ata kanë kaluar nëpër shumë gjëra pa prezencën time”, u shpreh Flook. “Natyrisht kjo është emocionuese edhe për ato. Kjo është vetëm një mënyrë tjetër e imja për t’i treguar se sa shumë i dua dhe se sa shumë kujdesem për to”, ka përfunduar ai.