Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca i kanë bërë thirrje Izraelit që të "heqë menjëherë kufizimet në rrjedhën e ndihmës", ndërsa palestinezët në Gaza përballen me një krizë përkeqësimi të kequshqyerjes dhe urisë.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet bëjnë thirrje për t'i dhënë fund luftës dhe i kërkojnë Izraelit të sigurojë që "nevojat më themelore të popullsisë civile" të Gazës të përmbushen "pa asnjë vonesë të mëtejshme", shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Deklarata vjen pasi presidenti francez u zotua të njohë një shtet palestinez - një veprim që Keir Starmer tregoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do ta ndërmerrte menjëherë, duke përmendur nevojën që ai të jetë pjesë e një "plani më të gjerë" për paqen në rajon.
Ndërkohë, njerëzit në Gaza përballen me një krizë urie që po thellohet, me agjencinë e ndihmës ushqimore të OKB-së që i thotë AFP-së se pothuajse një e treta e banorëve të Gazës "nuk po hanë për ditë të tëra". Një nënë tha se djali i saj 14-vjeçar ka humbur më shumë se gjysmën e peshës së tij.
Ministria e shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, thotë se nëntë persona të tjerë kanë vdekur nga kequshqyerja në 24 orët e fundit. Një total prej 122 personash - përfshirë 83 fëmijë - kanë vdekur nga kequshqyerja që nga fillimi i luftës, sipas ministrisë.
Në përgjigje të presionit në rritje, Izraeli thotë se do t'u lejojë kombeve të tjera të hedhin ndihma nga ajri në Gaza .
Ndërsa, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli po "shqyrton mundësi alternative" për të sjellë pengjet në shtëpi, ndërkohë presidenti i ShBA-së Donald Trump tha se Hamasi "nuk donte një marrëveshje", duke iu referuar bisedimeve për armëpushim. Një zyrtar i lartë i Hamasit mohoi për BBC-në se bisedimet kishin dështuar dhe ndërmjetësit Katari dhe Egjipti thonë se ka pasur "disa përparime" në bisedimet e fundit.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.