Në kuadër të shoqërisë kulturore shqiptare UraCult të Kölnit, Alma Bejtullahu, Driton Gashi dhe Kushtrim Gashi kënduan këngë që nga Shqipëria e mesme e deri në veriun e Shkodrës, në skenën e vogël të shtëpisë së cultures Mütze në Köln.
Të rralla janë mbrëmjet elite artistike në skenat evropiane kur artistët e rritur në ato mese bashkohen dhe japin shfaqje shqip, me ato vlera që i nxjerrin nga pasuria krijuese kombëtarë dhe i sheshojnë para bashkëkombësve, por edhe para të huajve. Por të rralla janë edhe mbrëmjet e tilla në atdhe, në skenat që sikur janë harruar, ashtu si defiluan këngët shqiptare në Köln, nga zërat e këngëtarëve Alma Bejtullahu dhe Driton Gashi, të përcjellë me orkestrimet brilante të kompozitorit Kushtrim Gashi me seli në Darmstadt të Gjermanisë.
Ky nuk ishte vetëm një koncert rasti, por takim i intelektualëve të vjetër dhe të rinj, i atyre që janë formësuar në trevat shqiptare e edhe i atyre në Evropë. Në këtë atmosferë, artistja e madhe Alma Bejtullahu, solli aq shumë këngë të „fjetura“ shqiptare, që kanë dalë si perla të pavdekshme nëpër kohë nga njeriu i atyre viseve, shkruan kultplus. Ajo bashkë me Driton Gashin, për disa minuta i sollën në skenë edhe jaret shkodranet dhe këngët e Shqipërisë së mesme duke dalë edhe përtej Shkumbinit, për t’i zbritur nga rrënzat e Tomorit këngët beratase.
Kjo ishte vetëm një mbrëmje, vetëm një hap në udhëtimin e shoqërisë kulturore shqiptare UraCult në Köln që me ngulm po e shfaq kulturën dhe krijimtarinë shqiptare në një metropol evropian me ndihmën e djemve dhe vashave tona që kanë përfunduar universitetet dhe studimet e larta në Gjermani.
Po në të njëjtën skenë, UraCult, më 14 tetor ka organizuar edhe shfaqjen e regjisorit Jeton Neziraj „Një shfaqje me katër aktorë…“, e cila sërish do t’i tubojë shqiptarët dhe miqtë e tyre gjermanë në Köln.
