Lajmet e fundit

Dyert e sallës “1 tetori” në Prishtinë këtë të enjte u hapën për edicionin e 15-të të Panairit Ndërkombëtar të Edukimit.
Në mesin e dhjetëra institucioneve arsimore që para nxënësve shpalosën programet e tyre është edhe “Western Balkans University” me seli në Tiranë.
Agron Hoxha, Drejtor i Marketingut dhe i PR-it në këtë universitet, dha detaje rreth programeve studimore që ofrojnë.
“Të gjithë e dimë që Tirana është një qytet i zhvilluar dhe që zhvillohet dita-ditës, që është një vend ideal për çdo student për të studiuar dhe jetuar. Përveç kësaj universiteti “Western Balkans” vjen me disa programe inovative kryesisht në fushën e mjekësisë, teknologjisë dhe ekonomisë”, tha Hoxha.
Ai, mes tjerash, theksoi se teknologjia e avancuar që universiteti posedon po ngjall interesim tek gjeneratat e reja që destinacion do ta kenë WBU-n.
“Në të gjitha programet, universiteti “Western Balkans” ofron nga 10 bursa deri në 100 për qind dhe ekskluzivisht për Panairin e Edukimit, sot dhe nesër në Kosovë, për të gjithë ata që do të aplikojnë përgjatë panairit do të ofrohen 20% bursë për të gjitha programet bachelor”, u shpreh Hoxha.
Lediona Lame, nga WBU-ja, tregoi se për cilat programe patën më shumë interesim maturantët kosovarë.
“Kemi pasur goxha interesim nga studentët potencialë nga Kosova. Aktualisht interesimet kanë qenë të shumta sidomos të profilit mjekësor, shkencave mjekësore dhe gjithashtu nga profili i teknologjisë dhe informacionit”, tha Lame.