Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës
kanë nënshkruar sot një marrëveshje
bashkëpunimi strategjik, e cila shënon një nga hapat më të rëndësishëm institucionalë në historinë e zhvillimit akademik dhe shkencor të Universitetit “Haxhi Zeka”.
Me këtë rast, kryetarja e ASHAK-ut, Prof. Dr. Justina Pula bashkë me akademik Fejzullah Krasniqi, nënkryetar i ASHAK, akademik Bardh Rugova, sekretar shkencor dhe akademik Frashër Demaj, sekretar i seksionit të shkencave shoqërire, pritën në takim zyrtar delegacionin e Universitetit “Haxhi Zeka”, në përbërje: Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor; Dr. Sc. Prof. asoc. Emine Pozhari, Kryesuese e Këshillit Drejtues; Dr. Sc. Prof. asoc. Alma Shehu-Lokaj, Prorektore për Mësim dhe Shkencë si dhe z. Adnan Lataj, Drejtor i IT-së në Universitetin “Haxhi Zeka”.
Kjo marrëveshje hap një kapitull të ri bashkëpunimi institucional, përmes të cilit Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës krijon hapësirë dhe mundësi konkrete që Universiteti “Haxhi Zeka” të jetë bashkëpunëtor aktiv dhe kontribuues i drejtpërdrejtë në aktivitetet shkencore, kërkimore dhe akademike që ASHAK zhvillon në kuadër të programeve të saj.
Ky bashkëpunim u mundëson studiuesve dhe stafit akademik të UHZ-së përfshirje në projekte të përbashkëta kërkimore, botime shkencore, konferenca, tryeza akademike dhe iniciativa të tjera me rëndësi kombëtare.
Marrëveshja e sotme dëshmon angazhimin e përbashkët të të dy institucioneve për avancimin e dijes, rritjen e cilësisë shkencore dhe ndërtimin e një ekosistemi akademik bashkëkohor, të hapur dhe gjithëpërfshirës në nivel kombëtar./Klankosova.tv
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.