Lajmet e fundit

Pika e parë në ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e titullarëve të përfaqësueses më të re të kontinentit janë pjesë e skuadrave të njohura në kampionatet e huaja dhe njëri prej tyre është portieri dhe kapiteni Samir Ujkani. Me një cv të pasur në disa klube italiane, Ujkani rrëfen për mediat e vendit fqinjë emocionin e debutimit në arenën e futbllit europian.
“Një javë më parë nuk plotësonim as numrin e lojtarëve. Leja ime nga FIFA erdhi në orën 15:30 dhe vetëm pak orë më pas duhej të zbrisja në fushë”, rrëfen Ujkani për portalin italian GianlucaDiMarzio.com. Menjëherë pas ndeshjes, ai u kthye në Romë për t’u bashkuar me skuadrën e Pisa-s, por lodhja është e madhe dhe ditët e ardshme ai duhet të rikuperojë energjitë për ndeshjen e fundjavës.
“Prej 5 ditësh nuk kam vënë gjumë në sy për shkak të stresit që më shkaktoi pritja. Pyetjen nëse do të luaja ma bënin gazetarët në çdo moment. Tashmë realizova një ëndërr sepse 10 vjet më parë një gjë e tillë as që më shkonte nëpër mend. Tashmë gjithçka është bërë realitet”. Telefoni i 28-vjeçarit të lindur në Vushtrri nuk pushon asnjë moment pasi mesazhet e urimit vijnë njëri pas tjetrit.
“Ende pa filluar ndeshja kanë nisur të më dërgojnë shumë mesazhe. Jemi të gjithë krenarë që arritëm të marrim një pikë në ndeshjen e parë”, shton gardiani i Kosovës, i cili e përfundon rrëfimin e tij duke theksuar se fanellën e ndeshjes së parë të Kosovës do ta ruajë në muzeun e kujtimeve të tij personale.