Lajmet e fundit

Tregim nga Amy Bloom mbi përballjen e një familjeje me sëmundjen mendore të njërës prej vajzave.
Zëri i sime motre ishte si ujë mali në një kanë argjendi; e kaltra e kthjellët të qetëson e të ngre peshë. Një herë, kur shkuam të shihnim “Traviatën” - ajo ishte katërmbëdhjetë ndërsa unë dymbëdhjetë vjeçe - ajo më shtyu drejt një vend parkimi dhe më tha: Shiko këtu! Pastaj hapi gojën fort, në një mënyrë të panatyrshme, dhe e la zërin të lirë. Një zë kaq i mprehtë, si kristal, sa njerëzit që sapo kishin dalë nga salla e operës ngrinë pranë makinave të tyre, pa mundur të nxirrnin çelësat apo të hapnin dyert, derisa ajo përfundoi dhe ata e brohoritën si dreqi.
Këtë dua të kujtoj. Këtë histori u tregova të gjithë terapistëve të saj. Doja që ata ta njihnin, ta kuptonin se ajo që panë nuk ishte gjithçka; se para tingëllimës së vazhdueshme të reklamave kishte qenë Puçini, Mozarti dhe himne kaq të ëmbël e të fuqishëm sa vetë Jezusi mund të zbriste të duartrokiste; se para atij dëngu Torazine (ilaç antipsikotik) që lëkundet korridoreve me kanotiere dhe streçe najloni, ka qenë vajza më simpatike e shkollës fillore, më e bukura e shkollës së mesme. Mbase kishte edhe vajza të tjera të bukura, por unë nuk i shihja. Për mua, Roza, mbrojtësja ime e bukur bionde, këshilltarja ime, ishte perfekte.
Krizën e parë nervore e pati në moshën 15-vjeçare. Në fillim kthehej me lot në shtëpi, pastaj ngadalë sikur çelej, pastaj nuk vinte më. Shkonte në pyllin pas shtëpisë dhe nuk kthehej derisa nëna, kur errej, dilte ta kërkonte. Duke ecur me kujdes mes ferrave e shkurreve, e gjente diku, me fytyrë flakë të kuqe, me bluzën blu të çelët të mbuluar me gjethe dhe xhinsat e bardha të ndotura me baltë. Për tri javë përsëritej i njëjti ritual dhe ime më, një muzikante e njohur si ekscentrike, i tha tim eti, një psikiatër zemërbutë e i trishtuar:
- Ajo po e humb.
- Çfarë është ky, opinioni yt profesional? – ia ktheu babai ndërsa tërhoqi gazetën, pastaj, duke psherëtirë, e la sërish.
- Më vjen keq! Nuk doja të të fyeja. E di që diçka e shqetëson. Ke provuar të flasësh me të?
- Çfarë ka për të thënë? David, ajo po çmendet. Ajo nuk ka nevojë për një bisedë me zemër të hapur me mamin, ka nevojë për mjekime.
E peshuan çështjen të dy, pastaj babai u ul me Rozën për disa orë; ajo u ul pranë tij duke lëpirë qimet e parakrahut të saj. E zbehtë në fytyrë, nëna i shihte të dy nga paradhoma. Ishte bërë gati dhe kur tre miq të babait erdhën për konsultë, nëna doli me vrik. Ajo më përqafoi dhe më tha se do të ktheheshin në mbrëmje, por pa Rozën. Dhe shtoi, duke nuhatur frikën time më të madhe:
- Ty nuk do të të ndodhë gjë zemër. Disa njerëz çmenden, disa të tjerë jo. Ti nuk do të çmendesh,- shtoi, pastaj buzëqeshi e më tërhoqi flokët: - Edhe nëse do të duash vetë.
Pjesa e parë e shkrimit të botuar në botimeshqip.com