Gazetari i Klan Kosovës, Vullnet Krasniqi, ka zbuluar se së shpejti në emisionin “MAT” do të transmetohet dokumentari që trajton dy nga masakrat e para të vitit 1998, ato në Likoshan dhe Qirez.
Bëhet fjalë për ngjarje që shënuan kthesë në zhvillimet e asaj periudhe, për të cilat Krasniqi u shpreh se kujtesa historike duhet të ruhet dhe të dokumentohet me përgjegjësi.
"Nuk ka vend në Kosovë që nuk ka ndodhur një masakër. Si medium po e kryejmë një obligim qytetar, si profesionistë dhe në raport me historinë tonë duke evidentuar pak a shumë këto probleme e mangësi, shpresoj që të paktën kjo dekada e fundit ka me qenë momenti kur dikush do të çohet dhe do thotë “boll më, të reflektojmë”. Krejt diskursi politik është ndërtuar mbi akuza e kundër-akuza ndërmjet njëri-tjetrit. Duke akuzuar njëri-tjetrin se ti vrave atë apo atë, derisa kemi lënë pas shpine gjithë këto krime që i ka kryer aparati shtetëror serb", deklaroi Krasniqi në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
"Shkurti i vitit 1998 shënon njërën nga betejat e para, ballafaqimin e drejtpërdrejt të UÇK me Serbinë që ndodh në fshatrat Likoshan e Qirez, ku ushtria serbe vendos të hakmerret në popullatën civile. Javën që vjen do sjellim edhe dokumentarin për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, vrasjen e 24 civilëve të pafajshëm, përderisa UÇK kishte bërë atë që nuk kishte se si t’i shmangej. U tha edhe dje në Hagë se pikërisht masakra në Likoshan e Qirez ishte këmbana e fortë e alarmit që duhet me u kthy dhe me luftu”, tha gazetari në Klan Kosova.
"Forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizuar në baza vullnetare vendosin që me dalë me bë roje, me i prit ato patrulla të cilat sa herë vinin në fshatrat e Drenicës, Drenas e Skenderaj, nuk vinin për gjë tjetër, veçse për të rrahur e vrarë shqiptarë. Para se të ndodhë beteja në Likoshan e Qirez, vritet një qytetar i atyre fshatrave, dhe kjo i çon këta vullnetarë para një betimi që ne nuk kemi ku shkojmë dhe do ta mbrojmë me jetën tonë. Aty ndodh një ballafaqim ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, dhe këta të fundit në pazotësinë e tyre për t’u përballur me ata që ua kthyen pushkën, pra me forcat e UÇK-së, u hakmorrën ndaj popullatës civile, ndërkohë që vritet edhe një grua shtatzënë".
https://www.youtube.com/watch?v=ISTGmWyTvHs
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.