Lajmet e fundit

Menjëherë sapo Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin si pjesë e dosjes së inceneratorëve, deputeti socialist i Shqipërisë, Alqi Bllako, njoftoi lënien e mandatit. I zgjedhuri në qarkun e Tiranës thotë se është i tronditur nga kërkesa e SPAK, por e bën këtë nga detyrimi për të sqaruar të vërtetën përpara drejtësisë.
“Kam vendosur që t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!”
Bllako thotë se nuk ka nevojë për mburojë duke këmbëngulur në pafajësinë e tij.
“Kam bindjen e thellë që një proces i paragjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar! Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë. Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Reagimin e tij në rrjetet sociale Bllako thotë se mezi pret t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve. Vendin e Bllakos në Kuvend pas lënies së mandatit e merr Pandeli Majko që ishte renditur i 19-ti në listën e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit të kaluar./tvklan.al/