Lajmet e fundit

“Ne kemi vendosur, shtabi i Frontit Evropian, që tubimin përmbyllës ta zhvendosim një ditë përpara, jo më 6 maj por më 5 maj në ora 20 në sheshin “Iliria” vetëm e vetëm për të mos u futur në skenarët e Rusisë, Putinit, Moskës, të cilët përmes veglave të tyre këtu, përmes Bilall Kasamit dhe opozitës shqiptare tentojnë që shqiptarët t’i fusin në një sherr mes vete”, tha Arbër Ademi nga Fronti Europian.
Më herët kreut i Tetovës, Bilall Kasami, tha se nga Koalicioni VLEN është njoftuar më 11 prill, ndërsa nga Fronti Evropian një ditë më vonë. Ai shtoi se në bazë të kërkesës së arritur në komunë është njoftuar edhe Sektori për Punë të Brendshme.
“Në bazë të parimit, i pari që e kërkon - i pari e fiton, pra komuna ka pasur obligim t’i jep përgjigje koalicionit VLEN dhe ta informojë Frontin Evropian se në atë kohë sheshi është i zënë. Neve kemi vepruar në bazë të procedurave. Policia nuk është ajo e cila vendos kush dhe ku do të organizojë tubim. Ne jemi shtet demokratik dhe evropian në të cilin ligjet duhet të vlejnë për të gjithë njëjtë”, theksoi Bilall Kasami nga koalicioni VLEN. /alsam.mk