Lajmet e fundit

Autoritetet bëjnë të ditur se të paktën një krokodil e sulmoi fëmijën, duke i shkaktuar thyerje në krah dhe në legen.
Tracey Johnson ishte ndër të parat që u fut në rrethim për të ndihmuar djalin, ndërsa pak çaste më vonë iu bashkuan bashkëshorti dhe djali i saj.
Sipas raportimeve, tre anëtarët e familjes arritën ta shkëpusnin fëmijën nga nofullat e krokodilit dhe ta nxirrnin në vend të sigurt.
Policia arrestoi një burrë 30-vjeçar nga Norfolk nën dyshimet për tentativë vrasjeje lidhur me incidentin.
Megjithatë, ai u la i lirë me kusht deri më 18 shtator, pasi mjekët vlerësuan se nuk ishte në gjendje të merrej në pyetje.
Burime të cituara nga mediat britanike thonë se i dyshuari ka probleme dëgjimi dhe shoqërohej nga dy kujdestarë. Një dëshmitare pretendon se kujdestarët ndodheshin disa metra larg dhe nuk po i kushtonin vëmendje, pasi ishin të përqendruar në telefonat e tyre.
Dyshohet se fëmija u kafshua nga një krokodil i Nilit ose nga një krokodil i ujërave të kripura, specie kjo e njohur për kafshimin më të fuqishëm në botën shtazore.
Policia u njoftua për ngjarjen nga shërbimi i ambulancës rreth orës 13:24, ndërsa djali u transportua menjëherë në spital.
Sipas përditësimit të fundit nga Policia e Cambridgeshire, fëmija ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme./Klankosova.tv