Lajmet e fundit

Policia ka vënë në pranga Sotir Çabirim, djalin e Spiro Çabirit, si autor të shpërthimit me lëndë plasëse të hotelit “Bizanti” mëngjesin e së hënës në Sarandë.
Në njoftimin e policisë, thuhet se 36-vjeçari është personi që ka vendosur 30 kilogramë dinamit në hotelin e të atit duke tmerruar të gjithë qytetin bregdetar.
Shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë konflikti i vazhdueshëm që kishte babai i tij me ortakun Dhimitër Evangjeliu. Pas një procesi të gjatë gjyqësor që kishte nisur që prej vitit 2002, gjykata kishte vendosur se pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të Evangjeliut.
Gjithashtu janë sekuestruar veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje. 36-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Si pasojë e shpërthimit, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në 1996 dhe u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al