Klubi futbollistik Trepça 89-të ka fituar derbin lokal në Raiffeisen Liga e Parë falë një goli në sekondat e fundit të shtesës nga Fatbardh Latifi.
Goli erdhi pas një goditjeje të lirë në frymën e fundit, kur Adem Maliqi krosoi në zonë, ndërsa qendërmbrojtësi Latifi u gjend më së miri për të realizuar një gol shumë të rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Gani Sejdiu, në synimin për rikthim në Superligë.
Pas 20 xhirosh, Trepça 89-të renditet në vendin e dytë me 42 pikë, vetëm dy pikë prapa liderit KF Vushtrria. Gara për kreun mbetet e fortë, pasi me nga 42 pikë është edhe KF Feronikeli, ndërsa shumë pranë janë edhe Dinamo Ferizaj me 41 pikë dhe KF Vëllaznimi me 40 pikë.
Futbollistët po ashtu u dhanë mbështetje marshit për çlirimtarët që mbahet në Prishtinë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës në ora 14:00 në kryeqytet.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.