Lajmet e fundit

Travis Scott ka dhënë më në fund një intervistë për incidentin në festivalin e tij, Astroworld ku mbetën të vrarë 10 persona dhe të lënduar dhjetëra të tjerë.
Ai u ul përballë Charlamagne tha God për t’iu përgjigjur pyetjeve, ndërsa si fillim e cilësoi të gjithë situatën “një përzierje emocionesh”.
Për të, intervista është një shpresë komunikimi me admiruesit dhe familjet e tyre: “Unë kalova diçka, fansat kaluan diçka, prindërit e njerëzve po ashtu. Dhemb vërtet, lëndon një komunitet, një qytet. Ka pasur shumë mendime, ndjenja, zi, thjesht po përpiqem ta kuptoj”.
Deri më tani, ndaj Scott janë grumbulluar mbi 2800 padi të bazuara mbi neglizhencën ndaj sigurisë.
Reperi e diskutoi këtë disa herë gjatë intervistës duke theksuar se është i vendosur për të zbardhur çfarë ndodhi në festival, i cili po përballet me akuza që kërkojnë dëmshpërblim në miliona dollarë, transmeton tvklan. Pyetjes se kush duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e organizimit dhe të stafit, Travis iu përgjigj: “profesionistët”.
“Si artistë, ne ia lëmë atyre në dorë që të sigurohen se fansat po argëtohen, njerëzit janë të mbrojtur, largohen dhe kalojnë eksperiencën më të bukur”. Gjithashtu, ai tha se nuk ishte në dijeni se eventi ishte shndërruar në vdekjeprurës, nuk dinte detaje dhe nuk dëgjoi ulërima gjatë performancave.
Pas tragjedisë, Travis është ofruar të paguajë për funeralet e viktimave, por oferta e tij është refuzuar. Në intervistë ai u shpreh se e kupton vendimin e tyre, por dëshiron “të sigurohet se ata e dinë që ai ishte aty dhe do të vazhdojë të jetë aty për ta”.