Lajmet e fundit

Drejtuesit e klubit anglez Tottenham Hotspur kompletuan transferimin e mesfushorit të Benfikës Gedson Fernandez, në formë huazimi deri në fundin e qershorit të vitit 2021. “Gjelat” janë në një krizë të thellë, pas problemeve të shumta që ka trajneri Jose Mourinho me listën e gjatë të dëmtimeve, ku spikat natyrisht sulmuesi i pazëvendësueshëm i “spurs” dhe përfaqësueses së “tre luanëve” Harry Kane, por gjithashtu edhe mesfushori Moussa Sissoko, lojtarë që siç dihet do të qëndrojnë jashtë fushave të lojës minimalisht deri në muajin prill, sidoqoftë bosi i klubit londinez Daniel Levy më në fund vendosi të bëjë përforcimin e parë të ekipit, duke afruar në gjirin e skuadrës pikërisht 21-vjecarin nga Sao Tome e Pricipe, Gedson Carvalho Fernandes.
Në mesin e vitit të ardhshëm kur përfundon edhe transferimi i mesfushorit të ri të përfaqësueses luzitane në radhët e Tottenham-it në formë huazimi, nëse do të mbeten të kënaqur drejtuesit e ekipit londinez do të kenë gjithashtu edhe mundësinë për ta blerë përfundimisht Gedson Fernandes-in nga skuadra e Benfikës së Lisbonës. Gedson Fernandes që e festoi 21-vjetorin pikërisht javën e kaluar, debutoi me “shqiponjat” sezonin e shkuar, një vit vërtet shumë i suksesshëm për të, pasi mesfushori i ri u kurorëzua me titullin në Portugali, teksa Benfica fitoi trofeun për vetëm dy pikë më tepër se “dragonjtë” e Portos.
Fernandes e ka nisur karrierën te skuadrat zinxhir të Benfikës, ndërsa më vonë i hodhi hapat e parë në futbollin profesionist te Benfica B, në Ligën e Dytë Portugeze. Gjithsej Gedson Fernandes është aktivizuar 53 herë për klubin nga Lisbona, duke shënuar madje edhe 2 gola në Champions League. Futbollisti i ri luzitan, i cili numëron gjithashtu edhe dy takime me përfaqësuesen e Portugalisë ka thënë se do të sistemohet në kryeqytet bashkë me familjarët e tjerë, të cilët për hir të së vërtetës janë zhvendosur që pak ditë më parë. 21-vjecari deklaroi se vjen nga një histori e vështirë dhe familja e tij u transferua në Londër, pasi në Portugali gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta, madje është shumë e vështirë për të gjetur punë.
Ai shpjegoi se nuk është se ka patur një jetë të shkëlqyer, megjithatë Gedson shtoi se pret që ardhja e njerëzve të tij të dashur pranë do t’i shërbejë për ta motivuar akoma më tepër. Gedson Fernandes rrëfeu se nuk i besohet akoma, dhe transferimi i tij te një klub si Tottenhami përfaqëson një sfidë fantastike, por mbi të gjitha bëhet fjalë për një ëndërr të shndërruar në realitet për të. Gedson Fernandes ka patur një marrëdhënie disi konfliktuale me drejtuesit e Benfica-s dhe futbollisti i lindur në Sao Tome e Principe për herë të fundit si titullar është aktivizuar më 30 tetor në fitoren 4-0 ndaj Portimonenses në “da Luz”, ndërsa në tre sfidat e fundit me skuadra si Rio Ave, Santa Clara apo dhe Vitoria Guimaraes Gedson është përdorur më pak se çerek ore lojë gjithsej, pasi është futur gjithmonë si zëvendësues në minutata e fundit.
Mesi i fushës mbetet një repart problematik për Jose Mourinho-n, sepse Christian Eriksen nuk pranoi të rinovojë kontratën, ndërsa Moussa Sissoko dhe Tanguy Ndombele janë të dëmtuar. Gedson Fernandes i entuziazmuar deklaroi gjithashtu se si edhe futbollistët e tjerë të rinj dëshiron vërtet shumë për të punuar me trajnerin luzitan, pasi sipas tij, portugezi është një ndër trajnerët më të mirë, gjithsesi mesfushori i ri portugez është zyrtarisht lojtari i parë që afrohet te “spurs” në epokën Mourinho./supersport.al/