Kina po ndryshon qëndrim për shitjen e TikTok, platformës së njohur të ndarjes së videove, ndërsa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë tensionuar më shumë kohët e fundit.
Për vite me radhë, Kina kundërshtoi fuqishëm kërkesat e SHBA-së për të detyruar pronarin kinez të TikTok, ByteDance, të shes operacionet e tij në SHBA. Madje e quajti këtë si “logjikë grabitqare” nga ana e amerikanëve, transmeton Klankosova.tv.
Por tani, Pekini duket i hapur për negociata lidhur me mënyrën se si ByteDance mund të heqë dorë nga kontrolli mbi TikTok në SHBA.
Ekspertët mendojnë se Kina po përdor TikTok si një kartë për të fituar përfitime në fusha më të rëndësishme si tregtia, teknologjia dhe çështja e Tajvanit.
Një nga pikat kyçe të negociatave është kontrolli mbi algoritmin e TikTok, i cili ndihmoi në rritjen e shpejtë të përdoruesve në SHBA, ku platforma ka më shumë se 170 milionë përdorues.
Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump ka treguar interes për një marrëveshje të shpejtë, ndoshta si pjesë e përpjekjeve për një takim të drejtpërdrejtë me presidentin kinez Xi Jinping.
Sipas raportimeve, firma amerikane Oracle do të ketë rolin e mbikëqyrësit të algoritmit në një kompani të përbashkët të re në SHBA, duke përdorur të dhëna amerikane për trajnimin e algoritmit.
Zyrtarët amerikanë thonë se kjo marrëveshje do të sigurojë kontrollin amerikan mbi algoritmin e TikTok.
Nga ana tjetër, Kina thotë se është arritur një “konsensus i përgjithshëm” për një kuadër bashkëpunimi, por nuk ka konfirmuar detajet e marrëveshjes.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.