Tigri Malayan katër vjeçar në Kopshtin Zoologjik në Bronx ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Tigri - që është femër dhe mban emrin Nadia - besohet se është rasti i parë që një kafshë është infektuar me Covid-19 nga njeriu.
Kopshti Zoologjik në Bronx, në New York, ka thënë se rezultati i testit është konfirmuar nga Laboratori Kombëtar i Shërbimeve Veterinare në Iowa.
Nadia, bashkë me gjashtë mace të tjera të mëdha, besohet se është infektuar nga një punëtor i kopshtit zoologjik asimptomatik.
Macet kishin shfaqur simptoma të virusit, përfshirë kollë të thatë, në fund të muajit të kaluar pas ekspozimit me punëtorin - që nuk është identifikuar.
“Kjo është hera e parë në gjithë botën që një person me Covid-19 e infekton një kafshë”, ka thënë Paull Calle, kryeshefi i veterinarëve në kopshtin zoologjik, për Reuters.
Ai tha se synon që të ndajë gjetjet me kopshtet e tjera zoologjike dhe institucionet që studiojnë transmetimin e Covid-19.
Tigri Nadia dhe motra e saj Azul, ashtu si edhe dy tigra të tjerë Amur dhe tre luanë afrikanë, që kanë shfaqur simptoma pritet të shërohen krejtësisht – ka thënë Kopshti Zoologjik.
Kopshti Zoologjik tha gjithashtu se nuk dihet se si do të zhvillohet virusi te kafshët si tigrat dhe luanët, por të gjitha kafshët do të monitorohen nga afër.
Kafshët e tjera nuk kanë shfaqur asnjë simptomë të virusit.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.