Lajmet e fundit

Universiteti UBT në bashkëpunim me kompaninë austriake AME International, kanë themeluar laboratorin e parë digjital në Kosovë.
Kjo nismë synon të promovojë zgjidhje teknologjike për shëndetësi digjitale, për të ndarë përvojën dhe njohuritë austriake në fushën e e-shëndetësisë dhe të krijojë një qendër të njohurive për shëndetësi digjitale në UBT, nga e cila do të përfitojë sektori i industrisë dhe kujdesit shëndetësor në Kosovë.
Edmond Hajrizi, Rektor në UBT, ka bërë të ditur se një modul edukativ i përgatitur bashkërisht, që mbulon aspekte të ndryshme të shëndetit digjital, tash e tutje do të mësohet në këtë universitet.
Drejtori i AME International, Heinz Messinger, tha se ky laborator do të ofrojë zgjidhjet më të mira bashkëkohore të TIK-ut për shëndetin digjital.
Studentët dhe stafi akademik do të kenë qasje akademike në sistemin elektronik të shënimeve shëndetësore, portalin e pacientit dhe platformën e shkëmbimit të informacionit shëndetësor të ofruesit të njohur të zgjidhje shëndetësore në fushën e TIK-ut, “ Tiani Spirit”. Përveç kësaj, një shikues i gjeneratës së re i radiologjisë, “MedDream”, ofruar nga Softneta dhe një shikues i avancuar i radiologjisë 3D, i ofruar nga “VisuApps”, do të jenë në dispozicion të studentëve.