Lajmet e fundit
Gardiani gjerman pranoi gol nga pothuaj gjysma e fushës në barazimin e së mërkurës të Barcelonës me Romën.

Marc-Andre ter Stegen ishte në qendër të kritikave të mërkurën mbrëma, pas përballjes në Stadio Olimpico, në kryeqytetin italian.
Gardiani gjerman pësoi edhe një gol nga gjysma e fushës në barazimin e katalanëve me Romën, duke përsëritur gabimin që e pati bërë ndaj Athletic Bilbaos në Superkupën e Spanjës.
Filozofia e Barcelonës kërkon që portieri të jetë më i avancuar, megjithëse të gjithë e dinë që kjo gjë paraqet rrezik. Debati për këto dy lëshime vazhdon në mesin e fansave dhe gazetarëve, por skuadra e ka liruar gjermanin nga përgjegjësia.
Paco Liano, fitues i dyfishtë i trofeut Zamora gjithashtu nuk e sheh gardianin gjerman fajtor.
“Ishte gol i mrekullueshëm. Stili i lojës së Barcelonës kërkon që portieri të jetë në një distancë nga porta dhe skuadrat e dinë këtë gjë. Ky është rreziku i kësaj strategjie. Përgëzime lojtarit të Romës. Nëse do të provonte prapë, vështirë se do të shënonte”.
Të gjithë tek Barcelona i kanë dalë në mbrojtje portierit - të parët ishin Luis Enrique, Gerard Pique e Claudio Bravo. Edhe Oliver Kahn i doli krah bashkëkombasit të tij: “Të qenit larg portës është pjesë e lojës së Barcelonës. Ka përparësi në raport të thyerjes së kundërsulmeve, por normalisht edhe rreziqe”.