Një mëngjes i përgjakshëm dhe i zymtë ka përfshirë sot Azinë Jugore, pasi tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë shpërthyer sërish.
India lëshoi një seri raketash në drejtim të territorit të kontrolluar nga Pakistani, duke goditur të paktën tre lokacione në rajonin e kontestuar të Kashmirit dhe në provincën lindore të Punjabit.
Një nga raketat sulmoi një xhami në qytetin Bahawalpur, ku për pasojë humbi jetën një fëmijë dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Sipas autoriteteve pakistaneze, në total janë konfirmuar të paktën 19 viktima nga sulmet, përfshirë gra dhe civilë të pafajshëm që u zunë në gjumë nga shpërthimet.
Shteti indian tha se kishte në shënjestër infrastrukturën e militantëve të përfshirë në sulmin ndaj turistëve muajin e kaluar në Kashmir, për të cilin e fajëson Pakistanin.
Por, ky i fundit mohoi akuzat dhe reagoi me sulme hakmarrëse, duke pretenduar se rrëzoi dy avionë indianë.
Ndërkohë, të paktën shtatë civilë u vranë edhe në territorin indian nga bombardimet e Pakistanit.
Autoritetet në të dyja anët raportojnë për dhjetëra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, e quajti sulmin një akt lufte dhe paralajmëroi se vendi i tij do të përgjigjet.
Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë më të lartat në vitet e fundit, dhe rreziku për një konflikt të hapur po rritet me shpejtësi.
Për më tepër ndiqni kronikën e përgatitur nga Klan Kosova:
https://www.youtube.com/watch?v=Qur2zVD-vCo
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.