Lajmet e fundit

Analisti politik Azdren Shala ka komentuar deklaratën e bërë mbrëmë nga Faton Peci gjatë një tubimi në Mitrovicë, ku ky i fundit sugjeroi që ura në këtë qytet të mbajë emrin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
I ftuar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, Shala e cilësoi këtë qëndrim si kontradiktor dhe e krahasoi me reagimet e Vetëvendosjes vetëm një javë më parë, kur këngëtarja Edona Llalloshi i kishte kushtuar një këngë liderit të VV-së, e ku një pjesë e zyrtarëve të kësaj partie ishin distancuar nga ky veprim.
Brenda një jave bien në kontradiktë. Pse? Para një jave pamë zyrtarë të Vetëvendosjes që njëzëri thonin se kënga e Edona Llalloshit për Albin Kurtin është gabim, sepse njeriut të gjallë nuk i bëhet këngë. Pas një jave del ky tjetri dhe thotë se ura duhet të mbajë emrin Albin Kurti”, deklaroi Shala.
Ai tha po ashtu se, nëse një figurë politike nuk duhet të përjetësohet përmes formave monumentale sa është gjallë, atëherë ky standard duhet të vlejë si për këngët ashtu edhe për emërtimin e objekteve publike.
“Nëse ti nuk je për përjetësimin e njerëzve të gjallë në formë monumentale, qoftë me këngë apo me urë, atëherë duhet të jesh kundër edhe emërtimit të urës. Por këtyre jo vetëm që u ka pëlqyer kënga për Albin Kurtin, por, siç kam thënë edhe më herët, edhe Glauk Konjufca, i cili i pari u distancua publikisht, në kohën kur ka qenë në diasporë në tubime, e ka dëgjuar muzikën e Edona Llalloshit në kerr. Jemi duke folur për njerëz që bien në kontradikta sa herë të duash”, tha Shala. /Klankosova.tv