Lajmet e fundit

Të ftuarit e parë të emisionit NIN në Klan Kosova këtë mbrëmje ishin protagonistët e filmit “Home Sweet Home”, drejtpërdrejt nga qyteti në kuadër të Prifest 2016.
Producenti i këtij filmi, Trim Musliu, tregoi se fillimisht kishte frikë se si do të pritej ky projekt, por që tani është i lumtur meqë sipas tij filmi është pritur mirë.
Ai po ashtu ka treguar se veçse kanë filluar t’i bëjnë planifikimet për dërgimin e këtij filmi edhe nëpër festivale të tjera.
Ndërsa, aktori Shkumbin Istrefi tregoi se çka e ka joshur që ta pranojë rolin në këtë film: “Më ka provokuar tema, meqë ishte e rrallë, si në kinematografi ashtu edhe në teatër. Është provokuese me luajt një teme të tillë ku dikush rikthehet pasi e kanë menduar të vdekur. Përveç kësaj, ka qenë edhe skenari dhe ekipi”, njofton Klan Kosova.
E veçanta e këtij filmi ka qenë edhe fakti se aty kanë aktruar edhe një babë e bijë. Fjala është për aktorin Donat Qosja, i cili si pjesë të kastit e kishte edhe vajzën e tij. Ai ka treguar se si fillimisht e kishte ndjerë se do ta kishte si ekstra barrë, por që më pas i kishte dalë e kundërta.
“Ka qenë projekti i parë për vajzën. Mbrëmë e harrova veten. Veç atë e kam duartrokitur dhe e kam harruar veten. Ky ka qenë emocion i veçantë”, është shprehur Qosja.
Ai po ashtu ka zbuluar se për këtë projekt filmik i është dashur t’i humbte disa kilogramë, dhe sfida më e madhe në këtë rol ka qenë ana psikologjike e karakterit, pasi aty zhvillohet një luftë psikologjike, meqë karakteri i tij pas kthimit nuk e gjen atë shtëpi qe e kishte menduar.