Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari mori pjesë në takimin trilateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë.
Përmes një njoftimi të FSK-së, thuhet se ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, transmeton Klankosova.tv.
“Gjeneral Jashari, Gjeneral Kingji dhe Gjeneral Kundid zhvilluan një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e lëshuar po ashtu theksohet se takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon. Po ashtu ky takim potencoi gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit strategjik.
“Kjo iniciativë trelaterale përfaqëson një shembull të partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.