Gjatë ditës së sotme tek palestra e sportit “Minatori” në Mitrovicë është dashur që të ndërhyjë policia për ta shpërndarë turmën e madhe të tifozëve që ishin të interesuar për bileta në ndeshjen mes Trepçës dhe Golden Eagle Ylli në finalen e dytë.
Për këtë, ka folur anëtari i klubit të basketbollit Trepça, Izet Tahiri, i cili u kërkoi falje të gjithë atyre tifozëve që nuk arritën të sigurojnë një biletë për ta parë këtë ndeshje.
Ai, në “Info Magazine” në Klan Kosova tha se interesimi është që në “Minatori” të jenë mbi 10 mijë tifozë, por kapaciteti i kësaj salle është maksimum për 2 mijë sosh,
“Numri i biletave zyrtare nga KB Trepça është 1 mijë e 600 bileta në shitje, plus tifozëve tanë “Torcida” u kemi dhënë 200 bileta, pra janë gjithsejtë 1 mijë e 800 bileta. Nuk e di sa ka qenë kohëzgjatja e biletave, por e di që janë shitur në kohë rekord, diku për 20-30 minuta, por kjo nuk është hera e parë që ndodh në qytetin e Mitrovicës”, është shprehur Tahiri, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Tahiri tha se ndërhyrja e policisë për ta shpërndarë turmën erdhi pas disa tifozë nuk arritën të sigurojnë bileta dhe u fillua që të krijohet një tollovi.
“Kemi pasur tre shitës ambulantivë, na ka asistuar një kompani sigurimi dhe policia që ka mbajtur rendin dhe janë shitur brenda 30 minutave të gjitha biletat. Për shkak të “pakënaqësive” të individëve që kanë dashur ta kenë një biletë, kanë filluar të krijojnë tollovi dhe ka ndërhyrë policia që ta sigurojnë vendin”, ka thënë Ymeri, njofton Klankosova.tv.
Ai u bëri thirrje të gjithë tifozëve që situata të jetë sa më e qetë, teksa vlerësoi edhe marrëdhëniet e mira që sipas tij, ka Trepça me kundërshtarin sonte, Golden Eagle Ylli.
Kujtojmë se sonte të luhet finalja e dytë e Play-offit, ku cili ekip i arrin tri fitore atëherë do të shpallet kampion i Kosovës në basketboll.
Ndërsa, deri më tani është luajtur vetëm një ndeshje, të cilën e ka fituar Golden Eagle Ylli.
https://www.youtube.com/watch?v=pb15ozV8vwE
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.