Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pasi Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave bën të ditur se sot do të dalin pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
Tahiri thotë se shumica e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë, u fyen, u tallën dhe u mashtruan, njofton Klankosova.tv.
Mes tjerash, Tahiri thotë se prapa gjithë kësaj qëndron agjenda politike.
“Sot amatorët vendimmarrës dhe një kontigjent i vogël jo profesionistësh, ekzekutuan të ashtuquajturat Paga. Sot, shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën, u mashtruan. Ata në vend të pagave, pranuan transfere kuturu. Disave nuk u janë llogaritur shtesat, të tjerëve përvoja, rrezikshmëria, të tjerëve kompensimet tjera, e kështu me radhë”.
“Prapa kësaj qëndron agjenda politike e kësaj qeverie, pranoni pagat ose lëreni punën. Këta nuk qeverisin përmes ligjeve, në fakt ligjeve ju referohen vetëm për të shtyrë përpara turpin, që thellë, këta të paditur e kualifikojnë si Revolucion. Turp”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.