Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, e ka parë me dyshim përgaditjen e Qeverisë së Kosovës për t’u përballur me Serbinë në procesin negociator që pritet të rifillojë së shpejti.
Syla ka pyetur nëse Qeveria ka statistika të sakta mbi viktimat e shkaktuara në luftë.
“A e din shteti jonë, institucionet tona, sa është numri i të vrarëve, për shkak se në këtë rezolutë thuhet se janë 12 mijë të vrarë. A janë rrafsh 12 mijë, a janë 11 mijë diçka apo mbi 12 mijë? Thuhet se janë të vrarë 1,500 fëmijë. A janë rrafsh 1,500 fëmijë të vrarë?”.
Kështu shihet brishtësia e shtetit të Kosovës, ka thënë ai.
“A e dimë ne sa dëshmorë i ka vendi jonë? A e dimë sa invalidë? A e njohim ne një invalid që i ka humbë sytë në luftë, që është i vetmi? Pakkush ia di emrin. Ai quhet Maliq Dragusha, nëse dikush do me ditë. Ne merremi me çështje të mëdha, por ne në bërthamë jemi keq. Po e zëmë që Vuçiq një ditë do të kërkojë falje, a ka shteti ynë shifra të sakta për viktimat e luftës?”.
Po ashtu, Syla i ka thënë shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që "të frenojë aktivistët e VV-së të cilët po e rëndojnë gjendjen shëndetësore të invalidit të luftës Shpejtim Agusholli, duke i shkruar në rrjetet sociale".
“Për Rexhep Selimin e kam një kërkesë. E di që e keni një rrjet në Facebook, që ata njerëz kanë detyra të caktuar që të lavdërojnë njerëz dhe të ofendojnë të tjerë. Z. Selimi e kam kuptuar që ju jeni njerëzit më të mirë në botë. Kërko në atë foltore që mos t’i shkruajnë Shpjetim Agusholli se ai po do me vdekë kur dikush po i shkruan atij. Ai është në karrocë. Me morfinë po e mbajmë atë. Tytat që i kanë kthy nga Shpëtimi, po kërkoj me i kthy ka unë. Ne jemi të shëndetshëm, e përballojmë”.
Por, Selimi tha se Vetëvendosje komunikon me publikun vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe se për këtë rast nuk do që të qëndrojë indiferent, por se nuk merr përgjegjësi për çfarëdo komenti në rrjetet sociale.
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.