Lajmet e fundit

Ahmeti theksoi se mosfunksionimi i platformës “Superpuna” po i vë bizneset në një situatë të vështirë, pasi ato rrezikojnë të penalizohen nga Administrata Tatimore për mosregjistrim të punëtorëve, ndonëse problemi buron nga vetë sistemi shtetëror.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj bizneseve pa u verifikuar më parë se përgjegjësia nuk është e tyre.
“Në njërën anë, biznesi do ta regjistrojë punëtorin. Në anën tjetër, nuk ka qysh e mban punëtorin në punë pa e regjistruar. Me e mbajtur në punë, rrezikohet që të penalizohet nga agjencia, nga Administrata Tatimore e Kosovës. Pse? Sepse nuk e ka bërë regjistrimin e punëtorit. Në fakt, në këtë rast nuk është faji i biznesit, por është faji i sistemit shtetëror, i cili nuk është duke funksionuar dhe shpeshherë po ndodhin këto telashe. Unë edhe në takime të ndryshme që kam pasur, edhe me zyrtarë të Administratës Tatimore, por edhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, u kam kërkuar që të mos ndërmarrin veprime të menjëhershme, sepse duket që zgjidhja më e lehtë për shumë institucione të vendit është që t’i dënojnë menjëherë bizneset, pa e vërtetuar saktë se problemi nuk është te biznesi, por është te një shërbim ose një sistem që e ka nën mbikëqyrje Qeveria e Kosovës apo shteti i Kosovës në këtë rast dhe që, për një arsye ose tjetër, i njëjti nuk funksionon”, deklaroi ai.
Njohësi i ekonomisë, Adem Qorrolli, thekson se platforma për regjistrim ka pasur vazhdimisht probleme teknike, si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht.
Por, sipas tij, shqetësimi kryesor është se përdoruesit nuk po mund të regjistrohen përsëri.
“Realisht, sistemi i platformës ka pasur probleme edhe më herët dhe kemi ankesa edhe aktualisht. Por ajo që është shqetësuese është se nuk po munden të regjistrohen përsëri dhe se a është tash problem i sistemit financiar, apo është problem institucional që nuk po i financon ende. Problemi i dytë është se nuk po kryhen pagesat brenda afatit kohor 15 ditë pas përfundimit të muajit. Domethënë, kemi ankesa që pagesat i marrin pas dy muajsh, tre muajsh, apo ende nuk i kanë marrë të ardhurat e tyre, ashtu siç janë premtuar nga pakoja fiskale e Ministrisë së Financave, pakoja buxhetore e Ministrisë së Financave, gjegjësisht për sektorin privat dhe për bizneset”, thotë Qorrolli.
Sipas Qorrollit, ka paqartësi institucionale edhe rreth vazhdimit të programit “Superpuna” në vitin 2026.
“Dhe ajo që është shqetësim i madh është se ende nuk dihet a ekziston mundësia e ‘Superpunës’ dhe informatori kryesor institucional nuk po jep dritën e gjelbër nëse ekziston edhe në vitin 2026 ky program. A ekziston edhe financimi? A është vetëm për sektorin privat, apo vlen edhe për institucione të tjera, apo financohet ende? Ky është boshllëku që sot e kemi: kemi shumë thirrje nga sektori privat dhe shumë zëra nga fuqia punëtore që pyesin nëse ekziston kjo mundësi dhe pse nuk po paguhen mbetjet e punëtorëve të vitit 2025”, theksoi ai.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe në Agjencinë për Punësim të Republikës së Kosovës lidhur me mosfunksionimin e platformës “Superpuna”, por deri në publikimin e këtij raporti nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Në fillim të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte lansuar platformën “Superpuna” në mbështetje të sektorit privat për krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e moshës 18–25 vjeç.
Përmes kësaj platforme, çdo punëdhënës mund të angazhojë deri në 30% të stafit të tij ekzistues, por fillimisht duhet t’i shpallë vendet e lira të punës.