Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon këtë vikend me disa përballje shumë interesante, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë te derbi ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës.
Dy skuadrat do të përballen të dielën në një duel mes nënkampionit dhe kampionit aktual, njëherësh edhe mes vendit të dytë dhe liderit të tabelës. Këto dy ekipe janë takuar edhe në dy finalet e fundit të Kupës, ku triumfues dolën “Xehetarët”.
Në kampionat, prizrenasit renditen në vendin e dytë me 16 fitore dhe shtatë humbje, ndërsa mitrovicasit kryesojnë bindshëm me 21 fitore dhe vetëm tri humbje, duke regjistruar gjithashtu 15 fitore radhazi. Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për të dy skuadrat para fazës së “Play-off”-it, që këtë sezon pritet të jetë shumë i fortë.
Një sfidë tjetër me shumë rëndësi zhvillohet ndërmjet Vëllaznimit dhe Golden Eagle Yllit. Gjakovarët kanë tetë fitore dhe 15 humbje, ndërsa therandasit numërojnë dhjetë fitore dhe 13 humbje, duke e bërë këtë përballje shumë të rëndësishme në garën për pozitat në tabelë.
Interesant pritet të jetë edhe dueli mes Sigal Prishtinës dhe Rahovecit 029. Kryeqytetasit kanë nëntë fitore dhe 14 humbje, kurse “Vreshtarët” shtatë fitore dhe 16 humbje, në një ndeshje ku të dy skuadrat synojnë pikë të rëndësishme.
Ndërkohë, të dielën përballen edhe GO+ Peja dhe Bora. Pejanët kanë dhjetë fitore dhe 13 humbje, ndërsa skuadra prishtinase 12 fitore dhe 11 humbje.
Kampionati po hyn në fazën vendimtare të sezonit, ku çdo ndeshje ka peshë të madhe dhe skuadrat po luftojnë maksimalisht për objektivat e tyre para fillimit të “Play-off”-it.
E shtunë:
20:00 Sigal Prishtina - Rahoveci 029 /Sport 2
20:00 Vëllaznimi - Golden Eagle Ylli / Sport 4
E dielë:
19:30 Bashkimi - Trepça / Sport 2
19:30 Go+Peja - Bora / Sport 3
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.