Lajmet e fundit

Vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwuar, nga ushtria izraelite ka rritur tensionet në rajon dhe ka sjellë shqetësime të mëdha për fatin e pengjeve të mbajtura nga Hamas në Gaza.
Familjarët e pengjeve u mblodhën në Tel Aviv të enjten vonë, të tronditur nga frika se vrasja e Sinwarit mund të rrezikojë më tej jetën e të dashurve të tyre, raporton Klan Kosova.
Efrat Kalderon, një e afërme e njërit prej pengjeve, ndau emocionet e saj të përziera, duke thënë: "Jam e lumtur për vrasjen e Sinwarit, por shumë e frikësuar për pengjet. Çdo minutë që kalon, ata janë në rrezik të madh”.
Sinwuar, i cili konsiderohet si një nga strategët kryesorë të sulmit të 7 tetorit që vrau mbi 1,200 persona dhe çoi në rrëmbimin e 240 të tjerëve, u vra në një përballje të rastësishme në Rafah, në jug të Gazës. Ushtria izraelite ka publikuar pamje me dron të momentit kur Sinwari, në përpjekjet e tij të fundit, tenton të godasë dronin me një shkop.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur shpresën për një marrëveshje paqeje pas vrasjes së Sinwarit, por situata mbetet e ndërlikuar me grupin Hezbollah dhe Iranin që paralajmërojnë për pasojat e ashpra pas “martirizimit të liderit të Hamasit”.