Një sulm me dron në Sudan ka vrarë 24 persona, përfshirë tetë fëmijë, raportoi një shoqatë mjekësh. Grupi paraushtarak i Forcës së Mbështetjes së Shpejtë (RSF) sulmoi sot një automjet që transportonte familje të zhvendosura, duke vrarë dy foshnje, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv Sulmi ndodhi pranë qytetit Rahad në provincën e Kordofanit të Veriut, i cili po përballet me një mungesë të madhe të furnizimeve mjekësore. Sipas Rrjetit të Mjekëve Sudanezë, familjet në automjet po iknin nga luftimet në zonën e Dubeiker. Incidenti ndodhi vetëm një ditë pasi një sulm ndaj një konvoji ndihmash të Programit Botëror të Ushqimit vrau një person dhe plagosi disa të tjerë.Shoqata e mjekëve i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut që të "marrin masa urgjente për të mbrojtur civilët dhe të mbajnë përgjegjëse drejtpërdrejt udhëheqjen e RSF-së për këto shkelje". Konflikti në Sudan shpërtheu në vitin 2023 si rezultat i një lufte për pushtet midis ushtrisë dhe RSF-së në kryeqytetin Khartoum. Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 40,000 njerëz janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 14 milionë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Kriza humanitare ka shkaktuar përhapjen e sëmundjeve dhe ka sjellë pjesë të vendit në prag të urisë. /Klankosova.tv
●●●
VZ
SHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.