Lajmet e fundit
Dy sulmuesit shqiptar synojnë që të thyejnë akullin pas dominimit për një kohë të sulmuesit kroat.

Pas dy sezoneve nën shenjën e Pero Pejiq, me sulmuesin kroat që nuk u dha asnjë shans rivalëve, ky është sezoni i duhur që “Këpuca e Artë” e Superiores të përfundojë në duart e një sulmuesi shqiptar.
Me largimin e Pejic, por edhe me rikthimin në Superiore të dy bomberave me peshë si Xhevahir Sukaj dhe Hamdi Salihi, gjasat janë të mëdha që golashënuesi më i mirë i kampionatit të shpallet sërish një futbollist shqiptar.
Në sezonin e kaluar me Kukësin, Pejiq shënoi gjithsej 31 gola duke mos pasur rivalë në garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa në atë parardhës me Skënderbeun e mbylli sezonin me 20 finalizime duke lënë pas me 3 gola më pak Sokol Cikalleshin, që në atë periudhë ishte pjesë e Kukësit.
Megjithatë Pejic tashmë nuk është më, pasi është transferuar në kampionatin iranian te Esteghal dhe në Superiore ka ardhur koha që “Këpucën e Artë” ta fitojë një sulmues shqiptar.
Pas përfundimit të fazës së parë listën e golashënuesve e kryeson Sukaj me 7 gola, ndërsa pas tij pozicionohet një tjetër shkodran si Salihi me vetëm një finalizim më pak.
Edhe këtë sezon ekziston rreziku që mban emrin Piter Olainka, shkruan supersport.al.
Nigeriani i Skënderbeut ka realizuar 5 gola në 9 javët e para dhe me formën e treguar ndeshje pas ndeshjeje nuk mund të përjashtohet nga gara për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i Superiores.
Gjithsesi përballë dy golaeadorëve të lindur si Salihi dhe Sukaj, 19-vjecari afrikan nuk do të ketë një mision aspak të lehtë.