Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP) në Serbi, Borko Stefanoviq, deklaroi mëngjesin e sotëm se aktualisht po shqyrtohet opsioni që Millorad Dodik, i cili pas vendimit të djeshëm të Kolegjit të Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës nuk është më president i Republikës Sërpska, të jetë kandidat për president të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme.
Stefanoviq, në një intervistë për televizionin serb “Nova”, tha se kjo po “diskutohet seriozisht”, pasi presidenti aktual i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, nuk mund të kandidojë sërish për shkak se po i përfundon mandati i dytë, ka transmetuar SSP përmes një njoftimi.
“Vuçiq dëshiron të bëhet kryeministër, të kthehet në postin e kryetarit të Qeverisë, dhe po e përgatit Millorad Dodikun për president, pasi ai ka shtetësi serbe dhe tashmë nuk mund të jetë president i Republikës Sërpska”, tha Stefanoviq, transmeton Klankosova.tv.
Duke folur për protestat në Serbi, ai vlerësoi se paraqitja e mbrëmshme e Vuçiqit para zyrave të SNS-së në Palilula - ku janë thyer xhamat, janë bërë arrestime pa bazë dhe janë rrahur të rinjtë - përbën një “përpjekje për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur në heshtje”.
Stefanoviq tha se pret që regjimi të ashpërsojë shtypjen, duke u përpjekur që nën përkufizimin e “terrorizmit” - i cili është shumë i gjerë në ligj - të fusë çdo qytetar që del në protesta. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.